Qeveria u kërkon komunave në Veri 12 milionë euro për borxhin e rrymës

27.12.2023

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’u kërkojë komunave të banuara me shumicë serbe në veri të vendit 12 milionë euro për të paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E. Propozimin e ka prezantuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, […]

Qeveria u kërkon komunave në Veri 12 milionë euro për borxhin e rrymës Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’u kërkojë komunave të banuara me shumicë serbe në veri të vendit 12 milionë euro për të paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E.

Propozimin e ka prezantuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se kërkesa për mbështetje financiare nga KOSTT-i është bërë nën arsyetimin se rrezikon likuiditetin nga ndëshkimet.

Sipas tij, Qeveria ka thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë.

“Kemi pranuar para dy ditësh kërkesë për mbështetje financiare, për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikon nga ndëshkimet, si rezultat i devijimeve të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit, devijime që vijnë për shkak të katër komunave në veri. Si Qeveri kemi thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Marrë parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në këto katër komuna, është më se e drejtë që edhe barra për pagesë të këtij borxhi t’u takojë atyre. Në mënyrë që të paguhet një pjesë e borxheve kemi kërkuar nga këto katër komuna që ta deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe fondin zhvillimor të mirëbesimit që tashmë është i alokuar në këto komuna. Këto mjete do të përdoren për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it”, ka thënë Murati.

Sipas tij, për këtë devijim Mitrovica e Veriut duhet të ndajë 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milionë euro, Zubin-Potoku 1.6 dhe Leposaviqi 2.6.

Në vendim abstenoi ministri Nenad Rashiq.