“Qeveria në largim s’ka kompetenca ligjore”

24.08.2019

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka treguar se cilat janë kompetencat dhe si duhet të funksionojë qeveria e dorëhequr. Ramush Haradinaj pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, iu drejtua Kushtetueses për të interpretuar dorëheqjen e tij, por gjykata ende nuk ka dhënë përgjigje, diçka për të cilën, njohës të Kushtetutës po thonë se është e […]

“Qeveria në largim s’ka kompetenca ligjore” Foto: Ilustrim

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka treguar se cilat janë kompetencat dhe si duhet të funksionojë qeveria e dorëhequr. Ramush Haradinaj pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, iu drejtua Kushtetueses për të interpretuar dorëheqjen e tij, por gjykata ende nuk ka dhënë përgjigje, diçka për të cilën, njohës të Kushtetutës po thonë se është e paarsyeshme.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, thotë se kjo qeveri është e rënë nga detyra dhe kompetencat ligjore e kushtetuese. Ai sqaron se krejt çka mund të bëjë ky kabinet qeveritar është të kryejë detyrat administrative e teknike, dhe në asnjë mënyrë të marrë vendime apo të mblidhet. Edhe pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik, pasi morë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, ai është paraqitur përsëri në zyrën e tij, njëjtë sikur vartësit e tij dhe i tërë kabineti qeveritar, të cilat kanë vazhduar punën.

Madje Haradinaj më 26 korrik kishte thirrur edhe mbledhjen e rregullt të Qeverisë, por pastaj iu kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë pas atij veprimi.  Por Kushtetuesja ende nuk ka kthyer përgjigje, e kjo sipas profesorit Baraliu është e pajustifikueshme. Ai thotë se është irracionale që Gjykata Kushtetuese të mbajë pezull kaq gjatë një institucion të rëndësishëm siç është Qeveria. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 95, pika 5 thuhet se “Nëse Kryeministri jep dorëheqje, ose për arsye të tjera, posti i tij mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi u kishte kërkuar një emër për mandatar koalicionit qeverisës, por Kadri Veseli, në emër të koalicionit kishte deklaruar që duan zgjedhje të reja. Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, dje ka mbajtur seancën e fundit, ku deputetët kanë votuar pro shpërndarjes së Kuvendit duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të jashtëzakonshme, datën e së cilave pritet ta bëjë të ditur presidenti.