Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB-në, miratohen edhe kursimet e MFPT-së

05.12.2025

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime financiare me rëndësi, përfshirë ndarjen e fondeve për projekte të realizuara në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Qeveria ka aprovuar ndarjen e 141 mijë e 680 eurove, mjete këto të destinuara për zbatimin e projekteve që realizohen përmes marrëveshjeve me trupat e OKB-së.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka ndarë 141,680 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara; si dhe ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), e cila ka parashtuar propozimin për realizimin e kursimeve buxhetore dhe rishpërndarjen e mjeteve në sektorë të ndryshëm sipas nevojave institucionale.

Vendimet e marra pritet të ndikojnë në vazhdimin e projekteve të nisura dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe agjencive të OKB-së, ndërkohë që Qeveria në detyrë vazhdon funksionimin përmes procedurave elektronike deri në formimin e kabinetit të ri qeveritar.