Qeveria ndan 390 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka bërë shqyrtimin e raportit tremujor të buxhetit për vitin 2019.

Mjetet e ndara do të përdoren për funksionim të shoqatave, për rehabilitim dhe trajtim të pjesëtarëve të shoqatave dhe për mbulimin e shpenzimit të varrimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Ministri i Financave Bedri Hamza, tha se është shënuar rritje prej 10% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.

“Pranime përgjatë 6 mujorit arritën vlerën 464.79 milionë euro, apo 56.28 milionë euro më shumë krahasuar me tre mujorin e vitit 2018. Si rezultat i rritjes së pranimeve buxhetore që arritën vlerën 388.55 milionë euro duke shënuar një rritje prej 10 për qind ose 36.49 milionë euro më shumë krahasuar me tre mujorin e vitit 2018. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së të hyrave tatimore neto prej 31.82 milionë euro, të hyrat jo tatimore janë rritur për 4.67 milionë euro”, tha ai.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2020-2022, të cilin do ta procedojë në Kuvendin e Kosovës.

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022 (KASH 2020-2022), e aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2020. Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.

Duke marr parasysh strukturën aktuale ekonomike të Kosovës dhe pengesat e shumta në rritje ekonomike, është e nevojshme ndërmarrja e reformave ekonomike për të liruar dhe fuqizuar potencialin ekonomik të vendit. Prioritetet e reformave ekonomike për periudhën afatmesme burojnë nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi 2019-2021, i cili rrjedh nga procesi i dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Kryeministri Haradinaj në këtë mbledhje ka folur edhe për ndalesat e zyrtarëve serbë të cilët punojnë në institucionet e Kosovës, nga institucionet e Serbisë, ku vlerësoi se kjo situatë është e papranueshme duke paralajmëruar edhe kundër masa në raport me zyrtarët serbë të cilët vizitojnë Kosovën.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme janë ndarë mjete financiare në shumë prej 1,000,000 €, për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në Komunën e Rahovecit.

Gjatë kësaj mbledhje ministri i Financave Bedri Hamza, tha se importi i kafshëve duhet të lirohet.

“Në sektorin e bujqësisë importin e kafshëve duhet ta lirojmë. Nga shkalla 18 në shkallën 8 për qind me qëllim që të ndihmohen fermerët”, tha ai.

Është miratuar edhe propozim vendimit për lirim nga tatimi doganor për Bashkësitë Fetare të parapara me legjislacionin në fuqi për liritë fetare në Kosovë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.