Qeveria merr vendim, nga sot bartja e maskave e obligueshme

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen korresponduese, (mbledhje elektronike), mbledhja e 13, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat ne: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.