Qeveria merr vendim: Kontrolli i naftës kthehet në Doganë

Qeveria merr vendim: Kontrolli i naftës kthehet në Doganë
Çlirim Gashi

07.05.2021 / Lajme

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka marrë vendim që kontrolli i naftës të kthehet në doganë.

Sipas vendimit të publikuar nga vetë ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, shihet se Hajdari ka anuluar pjesërisht vendimin e ish-ministrit të MTI-së për kontrollin e cilësisë së naftës.

Më poshtë edhe njoftimi i plotë:

Kontrolli i naftës kthehet në Doganë, vendoset ligjshmëria. Falë punës së mirë ekipore në MINT, sot mora vendim për të anuluar dispozitat kyçe të Udhëzimit administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, i cili jashtëligjshëm ka bartur kompetencën e kontrollit të konformitetit të karburanteve nga Dogana e Kosovës te kompanitë private të lidhura me ish-pushtetarët.

Përveç autoritetit ligjor, Dogana ka kapacitetet më të larta për të kontrolluar cilësinë e naftës dhe derivateve dhe për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin në Republikën e Kosovës. Laboratori i Doganës, që u mbyll kundërligjshëm nga ish-ministri, është investim mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit. Vendimi i sotëm siguron sundimin e ligjit dhe mbron kontributin e tatimpaguesve.

Vendimi i plotë, me arsyetimin e hollësishëm, botohet në Gazetën Zyrtare dhe në sajtin e Ministrisë: https://mint.rks-gov.net/page.aspx?id=1,40

Në ndërkohë, kam emëruar një grup punues që do të përmbyllë hartimin e Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Republikën e Kosovës. Ne do të angazhohemi që ky projektligj t’i paraqitet për miratim Kuvendit të Republikës brenda 100 ditëve të para të qeverisë Kurti II.

RAPORTO