Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e mori me qetësi punën e zgjedhjeve të reja, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që partitë politike, që veçse po thonë që janë gati për t’i hyrë këtij procesi të votojnë për ta shpërbërë  Kuvendin. Se a do të mund të realizohej ky skenar, për t’i ikur qeverisë teknike, nuk dihet. Gjithçka mbetet edhe më tutje në duar të Thaçit, që sot e theu akullin për hapat që do t’i ndërmarrë. Derisa presidenti po thotë se është gati për të negociuar me partitë, këto të fundit thanë se e përkrahin nismën për të shpërbërë kuvendin.

Reagimi i vonshëm i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit sa i përket hapave që do të merren pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, ndikoi që të diskutohej për një qeveri teknike e që mendohej se është e orkestruar nga vetë presidenti.

Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje, e kreu i saj kanë kërkuar nga partitë, pasi që të gjitha nga to po deklarohen të gatshme për zgjedhje, që ato të bëjnë hapin e ardhshëm.

Kreu i VV-së ka kërkuar sot që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme e të shpërndahet.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar disa nga partitë politike. Këto të fundit po thonë se e përkrahin këtë nismë të Vetëvendosjes, e se janë që sa më shpejtë të shkohet në zgjedhje.

Partia e kryeministrit të dorëhequr, AAK-ja po thonë se nuk ka kuptim që të provohet ndonjë zgjidhje e ndërmjetme, apo arnim i Qeverisë. Deputeti i kësaj partie, Muharrem Nitaj ka thënë se kurdo që kuvendi kërkon  shpërbërjen, ata do të votojnë pro.

“Ne e kemi kërkuar që presidenti t’i shpallë zgjedhjet sa më parë të jetë e mundur. Kryeministri ia ka kthyer mandatin sovranit dhe tani nuk ka asnjë kuptim të provohet ndonjë zgjidhje e ndërmjetme apo arnim i Qeverisë. Kurdo që Kuvendi e voton shpërbërjen e vet, ne votojmë pro”, është deklaruar Nitaj.

Njejtë si AAK, po deklarohen edhe nga LDK, që për sa kohë po përmendet se mund të hyjë në garë zgjedhore si koalicion me Vetëvendosjen, apo, se një i tillë mund të ndodhë pas zgjedhjeve.

Deputeti i kësaj partie, Naser Rugova i ka thënë sot Gazetës Express, se LDK ka qëndrim të qartë për këtë çështje.

“LDK ka qëndrim të qartë për këtë çështje. Nuk ka alternativë tjetër përveç se presidenti t’i ftojë partitë politike dhe të caktohet data e zgjedhjeve, çdo improvizim tjetër është i papranueshëm dhe dëmton demokracinë dhe proceset politike në vend”, tha Rugova.

Edhe nga Partia Social Demokrate e Shpend Ahmetit po thonë se qëndrimi i tyre që të vazhdohet me zgjedhje mbetet i pandryshuar.

“Kosovës i duhen zgjedhje dhe qeveri e ndryshimit dhe do të përdorim çdo formë ligjore për të penguar zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi”, tha zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

Presidenti kosovar, Hashim Thaçi ka thyer sot heshtjen sa i përket hapave që do të ndërmarrë Kosova pas dorëheqjes së Haradinaj. Ai la të nënkuptohet se do të mundohet t’i bindë partitë politike për të rikonstruktim qeverinë e për t’i ikur zgjedhjeve të jashtëzakonshme.