Ministrja e Arsimit gjatë kësaj vizite ka bërë të ditur se për vitin 2022 kanë paraparë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arsimin e konsideroi si vendin ku fëmija takon për të parën herë shtetin, duke shtuar se të gjithë mësimdhënësit do t’i mbështesë dhe se do të qëndrojnë bashkë për t’i nidhmuar në mënyrë që të kenë kushte të dinjitetshme të punës.
Po ashtu, kryeministri Kurti ka shtuar se nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë duke theksuar se nuk jemi të vetëdijshëm sesa shumë fëmijët rriten brenda raportit nënë-mësuese.
“Arsimi, shkolla është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin. Tek ju e takon shtetin për herë të parë dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm sesa shumë fëmijët rriten brenda raportit nënë-mësuese… Ne do të jemi bashkë me Ministrinë e Arsimit, zonjën Arbërie Nagavci dhe me gjithë Republikën e Kosovës, sa më pranë jush në mënyrë që t’ju ndihmojmë, t’ju mbështetim që edhe mësimdhënësit t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës, e gjithashtu edhe kompensimin e merituar. Por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri të ditur se janë duke punuar në infrastrukturën ligjore, dhe në këtë vit është planifikuar buxheti për ata mësimdhënës të cilët kanë probleme shëndetësore.
“Disa nga hapat që i kemi marrë në Qeveri sivjet për herë të parë në buxhetin e vitit 2022, kemi planifikuar buxhetin për mësimdhënësit të cilët kanë probleme shëndetësore sepse jemi të vetëdijshëm që plot nga kolegët tanë kanë vështirësi në zhvillimin e mësimdhënies së rregullt për shkak të problemeve shëndetësore, dhe si një problem i shprehur nga shumica e shkollave, ne kemi adresuar dhe jemi duke punuar edhe në infrastrukturën ligjore që të lejojmë që secili mësimdhënës të kryej punën e vet pa brengën e shqetësimeve që i sjell shëndeti”, tha Nagavci.