Qeveria Gjermane ua vazhdoi mandatin e ushtarëve gjermane në Kosovë

30.05.2024

Qeveria në Gjermani e kancelarit Sholc vendosi të mërkurën vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermane në Kosovë. Fokusi i misionit të KFOR-it është stabilizimi politik i Republikës së Kosovës. Stabiliteti dhe paqja në Kosovë është e rëndësishme jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Gjermaninë, NATO-n, BE-në dhe Evropën në tërësi, theksohet në vendimin e Qeverisë gjermane.

Qeveria Gjermane ua vazhdoi mandatin e ushtarëve gjermane në Kosovë Foto: Ilustrim

Qëllimi afatgjatë i qëndrimit të Bundesverit në Kosovë, mbetet dorëzimi i përgjegjësisë në fushën e sigurisë tek institucionet përgjegjëse të sigurisë së Kosovës, theksohet në vendimin e Kabinetit të Qeverisë gjermane.

“Stabiliteti dhe paqja në Kosovë është e rëndësishme jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Gjermaninë, NATO-n, BE-në dhe Evropën në tërësi”, theksohet në vendimin e Qeverisë gjermane.

Në këtë kuadër, fokusi i misionit të KFOR-it mbetet stabilizimi politik i Republikës së Kosovës, theksohet në vendimin e Qeverisë gjermane. Si pjesë e NATO-s, ushtarët gjermanë të Bundeswehrit,  mbështesin ruajtjen e rendit publik dhe marrin pjesë në fusha të ndryshme në stabilizimin demokratik të vendit.

Në arsyetimin për zgjatjen e mandatit theksohet se “tensionet, e ndonjëherë edhe përleshjet e dhunshme vazhdojnë të shfaqen,  në veri të Republikës së Kosovës në kufi me Serbinë”.

Në maj të vitit 2023, shumë ushtarë dhe civilë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë, në përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës. Në shtator të vitit 2023, pati një sulm të dhunshëm nga dhjetëra forca paraushtarake serbe të Kosovës, të armatosur rëndë në veri të vendit.

Këto sulme tregojnë se kontributi i KFOR-it mbetet i nevojshëm për të garantuar sigurinë dhe kushtet demokratike dhe paqësore në Kosovë. KFOR-i është shtylla qendrore e stabilitetit në rajon.