Qeveria emëron drejtorin e ri të AUV-it
Bekim Hoxha është caktuar në krye të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar sot propozimvendimin për emërimin e tij në pozitën e drejtorit të agjencisë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se përzgjedhja e kandidatit është bërë pas një procesi të udhëhequr nga komisioni vlerësues.
“Z. Hoxha ka përgatitje në aspektin akademik dhe profesional. Në aspektin e përgatitjes akademike, ka të përfunduar studimet bazike në Universitetin Shtetëror të Zagrebit, si dhe është master për zhvillim rural”, tha ndër tjerash ministri Peci.
Ai tha se drejtori i ri i AUV-së ka demonstruar punë të mirë në kohën e udhëheqjes së agjencisë si ushtrues detyre.
Nga sot e tutje, Hoxha do të udhëheqë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në një mandat katërvjeçar.