Qeveria e pranon se ka pasur përkeqësim në fushën e lirisë së medias: S’duhet të dekurajohemi, s’ishte vit i lehtë

03.05.2024

Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Qeveria e pranon se ka pasur përkeqësim në fushën e lirisë së medias: S’duhet të dekurajohemi, s’ishte vit i lehtë Foto: Ilustrim

Pas publikimit të raportit, ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Kryeziu ka bërë thirrje për mosdekurajim, pasi thotë se ky nuk ka qenë vit i lehtë. Madje ai thotë se janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

Rënia e nivelit të lirisë së mediave sipas tij ka ndodhur për shkak të ngjarjeve në veri dhe rastit Kan Kosova.

Postimi i plotë:

Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: “Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës”.

Në veri Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë. Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë.

Sa i përket çështjes së Klan Kosovës sh.p.k, aty është evidentuar një shkelje ligjore. Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte. Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë.