Qeveria e Kosovës nuk ka informata se si kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19 në veri të vendit

26.12.2020

Qeveria e Kosovës ka reaguar sot pas lajmit se të premten janë dërguar në veri të vendit vaksina kundër COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti përmes një postimi në facebook ka sqaruar se në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në […]

Qeveria e Kosovës nuk ka informata se si kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19 në veri të vendit Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka reaguar sot pas lajmit se të premten janë dërguar në veri të vendit vaksina kundër COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti përmes një postimi në facebook ka sqaruar se në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra” ka thënë Hoti.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare” ka shtuar ai.

Hoti tutje ka thënë se çdo produkt që hynë në Republikën e Kosovës duht t’i nënshtrohet rregullave të importit, në të kundërtën konsiderohet si produkt ilegal.

“Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”.