Kryetari i OVL-së të UÇK-së, Hysni Gucati, i ftuar në KTV ka folur për gjendjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës.

Gucati ka thënë se rreth 68 veteranë janë vetëvrarë që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe se edhe pas 20 vjetësh veteranët janë në një situatë të rëndë.

“Ky përvjetor i çlirimit i gjen veteranët në një situatë të palakmueshme ku në realitet kemi një numër të madh të veteranëve, ku një numër i tyre janë të sëmurë dhe disa prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme dhe jo ashtu siç kemi menduar që 20 vjet pas luftës ata t’i gjejë të shëruar, e të punësuar. Përgjegjësinë e mbajnë qeveritë e pasluftës, të gjitha që kanë qenë në pushtet”, ka thënë Gucati për KTV.

“Kemi gjendje shumë të rëndë për shkak të traumave, gjendja ekonomiko-sociale, kanë fëmijë dhe nuk mund t’i shkollojnë dhe kjo bën ndikimin e tyre. Por, veçanërisht për shkak të traumave të luftës, pasojat më të mëdha janë nga lufta”, u shpreh ai.