Qarkullimi financiar i bizneseve ka rënë për 833 milionë euro, shkak pandemia

Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar sot aktivitetet e zhvilluara dhe rezultatet e arritura të ATK-së për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj administrate, Ilir Murtezaj, ka thënë se pjesa e parë e këtij viti ishte me shumë sfida, si në fushën e shëndetësisë, ashtu edhe në ekonomi.

Ai tha se të hyrat nga tatimet janar-qershor të këtij viti janë 215.9 milionë euro, ndërsa kontributet pensionale 83.1 milionë euro.

Ndërsa në këtë periudhë të pandemisë, ka një rënie të të hyrave përreth 23 milionë euro.

“Efektet negative të pandemisë janë edhe në qarkullimin financiar të bizneseve, ku 833 milionë euro, ose 22 përqind ka rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si rezultat i rrethanave të krijuara pas 13 marsit, kur u paraqiten rastet e para me COVID-19, ATK ishte në mbështetje të plotë të Qeverisë, bizneseve dhe punëtorëve”, deklaroi Murtezaj.

Sa i përket numrit të bizneseve të mbyllura dhe numrit të punëtorëve që kanë humbur vendet e punës në pandemi, ai tha se ende nuk ka të dhëna zyrtare për këto statistika. Ndërsa, denoncime nga qytetarët për rritje të çmimeve nga bizneset në kohë pandemie, ATK  njoftoi se ka pranuar mbi 11 mijë denoncime, katërmijë prej tyre janë vetëm për ngritje të çmimeve, për të cilat ATK thotë se ka marrë masa.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.