Qalaj tregon se kur gjobiteni nga policia nëse nuk e bartni maskën

08.10.2020

Policia e Kosovës vazhdimisht është duke punuar për të mbajtur nënkontrollë situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Mosbartja e maskave në Kosovë dënohet nga policia, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë deri më tani policia ka shqiptuar 107851 gjoba. Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se janë dy faza […]

Qalaj tregon se kur gjobiteni nga policia nëse nuk e bartni maskën Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës vazhdimisht është duke punuar për të mbajtur nënkontrollë situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Mosbartja e maskave në Kosovë dënohet nga policia, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë deri më tani policia ka shqiptuar 107851 gjoba.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se janë dy faza të gjobave.

“I kemi dy faza të gjobave. Në fillim kanë qenë format për kundërvajtje të cilat s’kanë qenë gjoba që ne i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë që janë kyçur në menaxhimin e pandemisë në mënyrë që ata t’i shndërrojnë në gjoba pasi s’e kemi pasur ligjin anti-covid dhe numri i tyre ka qenë 73226. Ndërsa prej se ka filluar që të hyjë në fuqi ligji anti-covid i kemi shënuar 34625 gjoba, pa e përfshirë ditën e sotme”, ka thënë Qalaj. “Besoj se numri është mjaft i madh mirëpo në anën tjetër ka pasur edhe aktivitete të tjera”.

Ai gjithashtu qytetarët e Kosovës i ka cilësuar të disiplinuar sepse në pikun e COVID-19 ata duke respektuar masat kanë ndihmuar që numri i të infektuarve të ulet.

“Që nga fillimi i pandemisë ne jemi detyruar ta angazhojmë gati tërë stafin policor për të parandaluar virusin dhe natyrisht ky angazhim ka bërë që disa punë t’i lëmë anash që të përkujdesemi për shëndetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Qalaj thotë se në mungesë të ligjit për COVID-19 e kanë pasur të vështirë që të funksionojnë.

“Ne kemi disa instruksione edhe nga IKSHPK-ja se si duhet të sillen qytetarët në raport me mbajtjen e disatancës dhe të maskave. Në terren nganjëherë edhe çalon kjo punë pasi duhet të koordinohen shumë veprime me inspektorët sanitarë. Jo gjithmonë kemi mirëkuptim nga qytetarët e vetëdijesim të duhur. Pasi shohim se ka ende qytetarë që nuk besojnë. Besoj se duhet të jemi shumë më të vetëdijshëm për rrezikun nga ky virus”, ka thënë Qalaj.

Ndër tjera Qalaj ka treguar se kur duhet ta bartim maskën dhe kur jo.

“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën. Çështja e bartjes së maskave në lokale duket ashtu (absurde), mirëpo edhe në shtetet e tjera njerëzit ku të ulen në tavolinë nuk është e obliguar që ta bartin maskën, mirëpo prej momentit që ngrihet nga tavolina, shembull nëse je në lokal dhe shkon në tualet duhet ta vendosësh maskën. Kjo është e rregulluar ashtu dhe nuk jam ekspert i fushës që ta diskutoj një çështje të tillë”, ka thënë Qalaj.

Sa i përket çështjes së lokaleve ai thotë se situata është pak më e komplikuar, pasi përgjegjës të parë janë inspektorët.

“Rreziku nuk ka kaluar, po shpresojmë që të paktën të shkojmë në këtë ritëm ose të ketë rënie. Kemi pas një rast mbrëmë në një nga qytetet ku në orët e vona ka pasur muzikë dhe jemi të autorizuar që Policia të reagojë dhe natyrisht se janë paraparë edhe dënimet me ligjin anti-covid dhe i është shqiptuar gjoba edhe pronarit të biznesit por edhe këngëtarit që ka qenë duke kënduar”, ka thënë Qalaj në KTV.