Ka përfunduar numërimi i votave i të gjitha vendvotimeve në komunat e Kosovës, tashmë KQZ ka bërë përditësimet edhe në ueb faqen e saj zyrtare ku ka arritur në shifrën 100%, Lëvizja Vetëvendosje ka dalur e para me 25,48% të votave ndërsa LDK e dyta me 24,83% dhe e treta PDK me 21,25% ndërsa AAK ka dalur e katërta me 11,57%.
Pavarësisht numërimit të votave tri partitë politike kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtyre rezultateve duke kërkuar që të bëhet rinumërimi i votave e këtë kërkesë e kanë paraqitur në PZAP, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka thënë se prej një afati ligjor prej 72 orësh do të dilet me një vendim në lidhje me këtë kërkesë të këtyre tri subjekteve politike për rinumërimin e votave.
Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se rinumërimi i votave duhet të ndodh për faktin se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.
“Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë bartur te një parti tjetër”, tha Gashi.
Gashi tha se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar.
Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se mbështetësit e këtij subjekti politik duhet të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave për rinumërim të votave.
“Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumrimi”, ka shkruar Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtar, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike./REL/