Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës kanë sjellur mjaft ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e cila gjatë ditës së sotme pritet t’i bëjë të ditura vendimet në lidhje me këto ankesa të partive politike, duke përfshirë edhe ankesën e NISMA Socialdemokrate për të mos i pranuar pakot e ardhura nga Serbia.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pasi që u bënë një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, ky institucion të enjten e kaluar ka shpallur rezultatet përfundimtare, ku fituese doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje me rreth 26%, ndërsa pas shpalljes së këtyre rezultateve partitë politike kanë pasur 24 orë afat, që t’i dorëzojnë ankesat e tyre në PZAP.

Paneli Zgjedhor ka pasur kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara, afat ky që përfundon gjatë ditës së sotme.

Ky institucion bëri të ditur se deri në ora 10.50 të datës 8 nëntor, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë, prej të cilave më së shumti ka pasur nga partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42, pasuar nga LDK me 23, PDK 12, NISMA-AKR-PD 6, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa dhe 9 ankesa nga partitë minoritare. Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve, pastaj ka kohë 72 orë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit nga Serbia.

Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.

KQZ më herët ka deklaruar se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, data e saktë e së cilës ende nuk dihet.