Punëtorit i bie shtylla në kokë gjatë punës në Lubizhdë, përfundon në QKUK në gjendje të rëndë
Një aksident i rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Lubizhdë e Hasit në komunën e Prizrenit, ku një punëtor ndërtimi ka pësuar lëndime serioze në vendin e punës.
Ai ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, nën përkujdesje intensive mjekësore.
Dje, rreth orës 13:00 të datës 20 qershor 2025, Policia është njoftuar për një të lënduar rëndë gjatë punimeve ndërtimore. Viktima, me inicialet Z. K., 46-vjeçar, punëtor i kompanisë “Adioni Group SHPK”, ka marrë një goditje në kokë nga një shtyllë druri, rreth 6 metra e gjatë, e cila kishte rënë nga tavani i objektit ku po punohej.
Fillimisht, ai ishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, por për shkak të lëndimeve të rënda, është transferuar menjëherë në QKUK – Prishtinë. Burimet mjekësore bëjnë të ditur për Sinjalin se gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë.
Në lidhje me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me kompaninë “Adioni Group SHPK”. Djali i pronarit të kësaj kompanie është shprehur: “Nuk kam qenë në momentin kur ka ndodhur lëndimi, por nuk është se ka qenë ndonjë lëndim i madh.” Kur u pyet nëse është e mundur të bisedohet me pronarin e kompanisë, ai u përgjigj se aktualisht kjo nuk është e mundur, duke shtuar: “Ka qenë baba im, që e ka dhënë deklaratën në polici. Jo. Për zotin, se di a e ka telefonin me veti dhe është në Shqipëri. S’kam informacione pa u forcu pa e dhënë deklaratën vet, kurse ai e jep deklaratën më së miri.”
Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Sektori i Hetimeve Rajonale të Prizrenit, njësia e krimteknikës, si dhe inspektorët e punës, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit të incidentit. Sipas hetimeve fillestare, kompania nuk kishte respektuar të gjitha standardet e sigurisë në punë. Për këtë arsye, është iniciuar rasti “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” ndaj pronarit të kompanisë, Fitim S. rreth 41-vjeçar, i cili për momentin ndodhej në QKUK përkrah viktimës dhe nuk është intervistuar ende.