Rreth 100 punëtorë të Lotarisë së Kosovës, kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, dhe kanë kërkuar që të iniciohet Ligji për Lotarinë e Kosovës.
Gjithashtu, ata kanë kërkuar që punëtorët të marrin pagat, pasi qysh nga muaji prill kur janë ndaluar lojërat e fatit ata nuk janë paguar.
Përfaqësues të sindikatës së Lotarisë së Kosovës janë pritur në takim në zyrën e kreyministrit Ramush Haradinaj, ku kanë marrë premtime se së shpejti do të iniciohet Ligji për Lotarinë e Kosovës.
Ismet Uka, anëtar i kryesisë së Sindikatës së Lotarisë së Kosovës, ka treguar se cilat janë kërkesat e punëtorëve, derisa ka thënë se do të protestojnë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Uka bëri të ditur se nga takimi që kanë pasur në Zyrën e kryeministrit Haradinaj, kanë marrë premtim se do të iniciohet ligji.
Kujtojmë se ndalimi i lojërave të fatit nga Kuvendi i Kosovës është bërë me 28 prill të këtij viti, ku nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.