Pulmologu: Të infektuarit me COVID-19 po kanë më shumë komplikime tani sesa verës

02.12.2020

Pulmologu Flamur Marku ka thënë se është rritur numri i pacientëve të COVID-19 të shtrirë në spitale dhe që po kanë probleme me pneumoni të mushkërive. “Ka rritje të numrit të të hospitalizuarve për shkak të problemit me pneumoni të shkaktuar nga COVID-19. Por, ka edhe rritje të hapësirave që shfrytëzohen për pacientë të infektuar […]

Pulmologu: Të infektuarit me COVID-19 po kanë më shumë komplikime tani sesa verës Foto: Ilustrim

Pulmologu Flamur Marku ka thënë se është rritur numri i pacientëve të COVID-19 të shtrirë në spitale dhe që po kanë probleme me pneumoni të mushkërive.

“Ka rritje të numrit të të hospitalizuarve për shkak të problemit me pneumoni të shkaktuar nga COVID-19. Por, ka edhe rritje të hapësirave që shfrytëzohen për pacientë të infektuar dhe që kanë nevojë për trajtim. Numri i atyre që po kanë probleme pulmonale është rritur shumë së fundi”.

“Është shumë e vështirë të dallohet prej gripit sezonal, por rastet që vijnë në Klinikën e Pulmologjisë me pneumoni iu bëhet testi dhe brenda 48 orëve diagnostifikohen nëse janë infektuar ose jo. Testi është mënyra e vetme për ta dalluar një pneumoni nëse është e shkaktuar nga COVID-19 ose nga një grip i zakonshëm”.

“Kemi raste më të komplikuara sesa që ishin në sezonin e verës derisa tash kemi shumë pneumoni të komplikuara dhe këtu nuk janë vetëm moshat e vjetra dhe mesatare, por edhe të reja që po preken në komplikime në mushkëri”.

Marku ka thënë se ai është infektuar dy herë sipas rezultateve që i kanë dalë dhe se nuk është i vetmi që është infektuar dy herë, por se njëjtë iu ka ndodhur edhe disa kolegëve të tij.

Pulmologu ka thënë se komplikimi kryesor i pacientëve të prekur është kur iu preken mushkëritë që shkaktojnë rrezik në frymëmarrje.

Ai ka tërhequr vëmendjen pacientëve se nuk duhet të marrin antibiotikë pa u konsultuar me një pulmolog apo infektolog./klankosova/

Rikujtojmë se dje në Komunën e Suharekës janë identifikuar 7 raste të reja me Coronavirus.

Gjithashtu, javën e kaluar në Komunën e Suharekës janë regjistruar 96 raste me coronavirus dhe janë raportuar 8 viktima, shkruan SuharekaOnline.

Dje, 01 dhjetor, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka njoftuar se në bazë të IKSHPK-së masat aktuale do të vazhdojnë deri në fund të këtij vitit (2020).

Ai gjithashtu ka njoftuar se në javën që vjen do të vendoset për masat që do të ndërmerren për festat e fundvitit në mënyrë që qytetarët të ndjehen sa më të qetë.