Pulmologu kosovar parlajmëron valë të re të COVID-19

05.06.2021

Janë bërë më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para të infektimit me COVID-19 në Kosovë. Ndërsa javëve të fundit në vendin tonë ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me këtë virus, njëashtu edhe në klinikën e Pulmologjisë ka rënë ndjeshëm numri i të spitalizuarve me COVID-19. Përkundër faktit se […]

Pulmologu kosovar parlajmëron valë të re të COVID-19 Foto: Ilustrim

Janë bërë më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para të infektimit me COVID-19 në Kosovë.

Ndërsa javëve të fundit në vendin tonë ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me këtë virus, njëashtu edhe në klinikën e Pulmologjisë ka rënë ndjeshëm numri i të spitalizuarve me COVID-19.

Përkundër faktit se numri i të spitalizuarve ka rënë dukshëm në klinikën e Pulmologjisë, por kjo klinikë po ballafaqohet me shtim të kërkesave për trajtim të pacientëve që e kanë kaluar këtë virus.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë klinikë, Musa Hoxha ka thënë se pacientët që kanë qenë të infektuar me COVID-19 e që kanë qenë në gjendje të rëndë, përsëri të njëjtit po rikthehen në klinikë për të trajtuar pasojat e shkaktuara nga COVID-19.

“Gjendja në klinikën tonë këto ditë është më stabile për shkak se dihet se këto ditë ka rënë numri i rasteve të reja të infektuara me SARS-COV2, për momentin i kemi vetëm tre raste COVID pozitiv që jemi duke i trajtuar, kurse përveç 10 rasteve që i kemi në pritje të rezultateve për SARS-COV2, rastet tjera janë raste post-COVID dhe raste me patologji të tjera pulmologjike.

Në klinikën tonë gati se gjysma e pacientëve që i kemi COVID, jo pozitiv janë raste post-COVID, raste të cilat kanë qenë raste më të rënda klinike që janë trajtuar kur kanë qenë COVID pozitiv dhe raste që kanë lënë probleme klinike, si dhe në aspektin radiologjik e vërejmë se ka pasur fribroza të theksuara pulmolare dhe gjendje të rëndë respiratorë”, tha ai.

Ai shtoi se vaksinimi kundër COVID-it që po zhvillohet në vendin tonë por edhe në vendet tjera e ulë mundësinë e rritjes së rasteve të reja, por ai nuk e përjashton mundësinë e një vale të re të përhapjes së koronavirusit me përmasa të infektimit më të ulëta.

“Duke marrë parasysh që tashmë vaksinimi është duke u zhvilluar në vendin tonë, po ashtu edhe vaksinimi në vende fqinje dhe vendet evropiane është para neve, ne nuk presim rritje të madhe të rasteve të reja me SARS-COV2 për shkak të këtyre masave që janë marrë edhe të shteteve përreth edhe shteteve perëndimore, ku i kemi edhe mërgatën të cilët vijnë në vendin tonë, por sidoqoftë nuk mund të flasim për një kalim të kësaj pandemie.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se me këtë pandemi edhe gjatë vitit 2021, do merremi sidomos Klinika e Pulmologjisë edhe me rastet e reja që do vijnë me post-COVID. Ndoshta gjatë muajve në vijim do kemi edhe ndonjë valë tjetër por jo të këtyre përmasave çfarë i kemi kaluar”, tha ai.