Pse u rritën importet nga Shqipëria gjatë vitit 2023?

23.01.2024

Për gati 71 milionë euro është rritur vlera e produkteve nga Shqipëria të importuara në Kosovë. Nga 255.3 milionë që ishte në vitin 2022, në vitin 2023 vlera e importeve u rrit në 326 milionë euro. Po ashtu, edhe eksportet nga Kosova për në Shqipëri patën rritje të ndjeshme Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë […]

Pse u rritën importet nga Shqipëria gjatë vitit 2023? Foto: Ilustrim

Për gati 71 milionë euro është rritur vlera e produkteve nga Shqipëria të importuara në Kosovë. Nga 255.3 milionë që ishte në vitin 2022, në vitin 2023 vlera e importeve u rrit në 326 milionë euro. Po ashtu, edhe eksportet nga Kosova për në Shqipëri patën rritje të ndjeshme

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara.

Në vitin 2023 vlera e importeve të produkteve nga Shqipëria në Kosovë ka shënuar rritje për gati 71 milionë euro.

Gjithashtu një rritje të lehtë pati edhe eksporti i produkteve kosovare në Shqipëri.

Çka ka ndikuar në rritje të shkëmbimeve tregtare?

Profesori i ekonomisë, Bashkim Mustafa, në një deklaratë për Nacionalen, ka shpejguar se pse ka shënuar rritje importi i produkteve shqiptare.

Mustafa ka thënë se ndalimi i produkteve nga Serbia, ka ndikuar që në Kosovë ato të zëvendësohen me produktet shqiptare.

Por sipas tij, rritja e importit mund të jetë e mirë në aspketin kombëtar, por në aspektin ekonomik, sipas tij, produktet do të duhej të zëvendësohen me prodhime vendore.

“Një ndër arsyet është që importi i produkteve nga Serbia pas vendosjes se taksës është duke u zëvendësuar me produkte të prodhimeve nga Shqipëria e që është një shenjë e mirë sa i përket aspektit kombëtar por jo në aspektin ekonomik. Se zëvendësimi i importeve nga Serbia do të ishte mirë të zëvendësohet me prodhime vendore, dhe paramendoni se çfarë diskursi ekonomik do të kishim nëse do rritet prodhimi vendor. Por fatkeqësisht importi është rritë dhe zëvendësuar edhe nga vendet tjera.” – ka thënë ai.

“Siç paraqiten edhe të dhënat, bizneset e Kosovës nuk kanë mundur të mbulojnë mungesat në treg të mallrave nga Serbia dhe ato janë zëvendësuar nga bizneset që kanë potencial më të lartë dhe kapacitete prodhuese.” – ka shtuar tutje ai.

Mustafa është shpjeguar pse vlerat e eksporteve të Kosovës në Shqipëri nuk kanë shënuar ndonjë rritje të lartë në raport me vlerat e importeve.

Ai ka përmendur mungesën e masave mbështetëse dhe burokracinë e lartë nga ana e Qeverisë se Kosovës për prodhuesit vendor që kanë për qëllim eksportin.

Një tjetër çështje e përmendur nga Mustafa, që bizniset kosovare nuk po mund të deportojnë në Shqipëri, është kostoja e lartë në ciklin e zinxhirit prodhues.

“Një ndër arsyet kryesore është mungesa e politikave të duhura të Qeverisë për mbështetje dhe përkrahje të prodhuesve vendor dhe ato që kanë qëllim eksportin. Asnjë veprim nuk është marrë nga Qeveria për me nxitë eksportet përkundrazi ka demotivim dhe burokraci të lartë qoftë në lëndën e parë qoftë në zinxhirin furnizues e prodhues. Në këto rrethana bizneset e Kosovës nuk po munden të deportojnë në tregun e Shqipërisë edhe për arsye të kostove të larta në ciklin e zinxhirit prodhues. Kur dihet se çmimi e energjisë në Kosovë është rritur dukshëm, kosto e lartë e lëndës së parë, kosto dhe çrregullime të theksuara të fuqisë punëtore.” – ka thënë ai për Nacionalen.

Sa e çka importuam nga Shqipëria?

Gjatë viti 2022, Kosova kishte importuar nga Shqipëria mallra me vlerë 255.3 milionë euro, ndërkaq në vitin 2023 kjo vlerë u rrit për gati 71 milionë euro apo në total prej 326.2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket eksportit nga Kosova në Shqipëri në vitin 2022 vlera e eksporteve ishte 100.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 vlera e eksporteve ishte 112.8 milionë euro.

Sipas një publikimit të Institutit GAP, shufrat e çelikut ishin produktet më të importuara nga Shqipëria në Kosovë gjatë vitit 2023 me vlerë prej 119.36 milionë euro.

Çimento, energjia elektrike, bitum nafte e fasada janë produktete e tjera më të importuara.

Ndërkaq sa i përket eksporteve, birra ishte produkti më i eksportuar nga Kosova në Shqipëri me vlerë prej 12.26 milionë euro.

Pijet freskuese, mbetjet ferrike, mbetjet alumini dhe produktete e tjera çeliku, përbëjnë pjesën tjetër të eksporteve.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte vendosur masë të sigurisë ndaj produkteve nga Serbia pas kidnapimit të tre policëve kosovarë në vijën kufitare me Serbinë.

Si shkak i kësaj, vlera e importeve nga Serbia kishte shënuar rënie dhe duket që ka ndikuar edhe në rritjen e importeve nga Shqipëria dhe vendeve të tjera.