Pse për Gjermaninë, Zvicrën e disa vende tjera, testet e Kosovës nuk janë të besueshme

11.07.2020

Shumë shtete të Evropës kanë vënë kusht që qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të hyjnë nga Kosova në këto vende evropiane, duhet të posedojnë test që dëshmon se nuk janë të infektuar me CoVID-19. Por, për Gjermaninë, Zvicrën dhe disa vende tjera, testet që kryhen në Kosovë nuk janë të besueshme. E vetmja mundësi për […]

Pse për Gjermaninë, Zvicrën e disa vende tjera, testet e Kosovës nuk janë të besueshme Foto: Ilustrim

Shumë shtete të Evropës kanë vënë kusht që qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të hyjnë nga Kosova në këto vende evropiane, duhet të posedojnë test që dëshmon se nuk janë të infektuar me CoVID-19.

Por, për Gjermaninë, Zvicrën dhe disa vende tjera, testet që kryhen në Kosovë nuk janë të besueshme.

E vetmja mundësi për kosovarët që mbërrijnë në këto shtete mbetet karantinimi 14 ditor.

Mikrobiologu Lul Raka tha për gazetën Objektiv se testet që i bën Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHKP) janë të sigurta, dhe përcillet protokolli i bërjes së këtyre testeve njësoj sikurse edhe ne gjitha vendet tjera.

Andaj ai tha se nuk e di arsyen pse disa nga shtetet e Evropës nuk i pranojnë testet që bëhen në Kosovë, transmeton RTK.

Sipas tij, pikërisht Gjermania, ditët e fundit ka sjellë donacion teste PCR, apo teste që bëhen përmes strishos së hundës dhe fytit.

“Ka pasur donacion ditëve të fundit të testeve pikërisht nga Gjermania. Janë teste PCR me të njëjtën metodologji e që përdoren gati në të gjitha shtetet e Evropës dhe botës dhe pjesa më e madhe është bërë prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë edhe në Kosovë edhe në rajon”, tha Raka.

Ndërsa, mjeku kosovar Halil Krasniqi, që punon në një klinikë të madhe në Shtutgart, ka deklaruar publikisht se efikasiteti i testeve dallon varësisht nga shtetet edhe pse thotë se edhe atje përdoren testet me strisho.

Por, ai ka deklaruar se testet përmes gjakut, apo ato serologjike, janë më të sigurta sa i përket testimit për COVID-19.

Doktor Krasniqi ka shpjeguar se pse shtetet Evropiane nuk po i pranojnë testet që po bëhen në Kosovë nga IKSHPK-ja, që është institucioni i vetëm që po i kryen këto teste.

“Efikasiteti i testeve është i ndryshëm fatkeqësisht në shtete të ndryshme, në Gjermani, por edhe në Kosovë. Problemi qëndron te testet. Në një studim përkatës në Berlin, është verifikuar se testet të cilat i marrin të gatshme për ta marrë strishon, nuk po përmendi përqindje, por janë pozitive. Është pacienti i infektuar apo jo, testi është pozitiv, kjo pastaj është korrigjuar në kohë të shkurtë janë marrë edhe testet tjera janë hapur dhe janë mbyllur pa marrë strishot e personit, por kanë qenë pozitive”, shpjegoi doktor Krasniqi.

Përveç vendeve evropiane, teste që konfirmojnë se nuk janë të infektuar me koronavirus, qytetarëve të Kosovës u kërkojnë edhe disa prej shteteve fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se në tri pika kufitare të daljes nga Kosova kërkohet testi për Covid 19. Ato janë pika kufitare në Glloboqicë, Kullë, dhe Hani i Elezit

Në Kosovë ende nuk po mund të bëhen teste aerologjike, pasi laboratorët privat nuk janë licencuar për të kryer teste nga Ministria e Shëndetësisë.

Por, Qeveria e Kosovës, tashmë ka filluar procesin e licencimit të institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19.