Propozimi për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, opozita paralajmëron protesta

19.01.2022

Sipas vendimit, shumicën e subvencionimit nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset, derisa energji elektrike pa rritje të çmimit do të paguajnë vetëm ato familje që arrijnë të mos shpenzojnë mbi 600 kwh në muaj. Vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike është pritur me paralajmërime për protesta. Ishte fillimisht PSD-ja që paralajmëroi protesta […]

Propozimi për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, opozita paralajmëron protesta Foto: Ilustrim

Sipas vendimit, shumicën e subvencionimit nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset, derisa energji elektrike pa rritje të çmimit do të paguajnë vetëm ato familje që arrijnë të mos shpenzojnë mbi 600 kwh në muaj.

Vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike është pritur me paralajmërime për protesta.

Ishte fillimisht PSD-ja që paralajmëroi protesta kundër propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike në vend.

Pas PSD-së edhe partia opozitare AAK, ka paralajmëruar protesta për të kundërshtuar propozimin për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

AAK-ja ka njoftuar se në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Aleancës, Kryesia ka vlerësuar se rritja e çmimeve në këtë kohë është e patolerueshme, ku ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e organizimit të protestave për te kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës.

Sipas tyre, përderisa veriu i vendit nuk paguan fare për energjinë, është e padrejtë rritja enorme e çmimeve për pjesën tjetër të qytetarëve, ku goditën amvisëritë dhe bizneset, shkruan Reporteri.net.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë kundër propozimit për rritje të energjisë elektrike.

Besian Mustafa i LDK-së ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit, duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.

Ndërkohë nga Partia Demokratike e Kosovës gjatë një konference për media gjatë ditës së djeshme kanë thënë se qytetarët e Kosovës mund të përballen me shtrenjtimin më të madh të rrymës në historinë e vendit tonë.

Nga PDK kanë thënë se  do të përdorin të gjitha rrugët parlamentare për të ndaluar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti.

Sipas raportit të ZRRE’së, këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë. Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.