Prodhuesi turk: Krenarë për forcimin e Kosovës, fabrika do të prodhojë municione me standardet e NATO-s

17.12.2024

Pas nënshkrimit të kontratës historike, prodhuesi shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) në një njoftim zyrtar, bëri të ditur se kjo fabrikë do të mbështesë Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, ndërsa do të kontribuojë edhe në eksportet e industrisë turke të mbrojtjes.

“Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municione sipas standardeve të NATO-s. Jemi krenarë që kemi kontribuuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, duke forcuar vendin tonë mik dhe motër Kosovën me këtë kontratë të nënshkruar,” thuhet në deklaratën e prodhuesit turk.

Kontrata përfshin furnizimin me makineri të avancuara për prodhimin e municioneve sipas standardeve të NATO-s, trajnimin e stafit vendor, mirëmbajtjen e pajisjeve për një periudhë të caktuar kohore, si dhe pajisjen me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim. Pasi fabrika të nisë prodhimin, ajo do të funksionojë si një ndërmarrje publike dhe do të jetë markë 100% vendore, duke i garantuar Kosovës pavarësi në këtë sektor jetik.

Më 27 nëntor, Qeveria e Kosovës ndërmori hapin e parë drejt ngritjes së industrisë së saj ushtarake, duke miratuar këtë projekt si një domosdoshmëri për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kryeministri Albin Kurti e konsideroi këtë vendim si një moment historik për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe për mbrojtjen kombëtare.

https://www.facebook.com/MKEgovtr/posts/603500985533739?ref=embed_post