Çlirim Gashi
12.04.2019, 9:31

Probleme në LDK, tensione e debate të ashpëra në Kuvendin Zgjedhor, ndërprehen zgjedhjet

Një incident ka ndodhur mbrëmë në një tubim të një nëndege të LDK-së në Prishtinë.

Debat i ashpër dhe tensione janë krijuar në këtë ngjarje që u mbajt në shkollën “Gjergj Fishta” në kryeqytet.

U raportua se përplasje verbale pati mes djalit të Fatmir Sejdiut dhe atij të Bajram Gecajt.

Por, Zëdhënësi i LDK’së thotë se ka pasur vetëm “debat” ndërsa ditët e ardhshme vendoset se kur do të mbahet Kuvendi zgjedhor.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa duke folur sot për Gazetën Express atë që ka ndodhur në një nëndegë të Degës së II të LDK’së në kryeqytet e ka përshkruar si “debat”.

“Nuk ka pas përleshje, ka qenë debat. Thjesht ka qenë e pamundur mi akomodu mbi 200 njerëz në sallë. E kan shty kuvendin për një ditë tjetër”, tha Mustafa për Gazetën Express.

Ai ka shtuar se ditëve në vijim do të vendoset data se kur do të mbahet ky kuvend zgjedhor.

Ndryshe, LDK tash e disa ditë ka hyrë në procesin e zgjedhjeve të brendshme.

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka thënë se zgjedhjet po mbahen në fryme demokratike, ndërsa ky është incidenti i parë sa i përket mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Mustafa nuk ka treguar ende nëse do të kandidojë edhe për një mandat apo do ta mbështes dikë.

Ambicie për të parin e partisë kanë shprehur edhe nënkryetarët e tjerë të LDK-së.

Madje si emër i mundshëm se do të shpall kandidaturën është përmenduar edhe Fatmir Sejdiu- ky i fundit as nuk e ka pohuar as mohuar një gjë të tillë.

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një bisedë për Gazetën Express sot ka mohuar se ai dhe djali i tij janë përleshur me djalin e Fatmir Sejdiut mbrëmë në një tubim në kryeqytet.

“As unë, as djali s’kem pas përleshje me kerkond. S’ka pas kushte për mu mbajt tubimi u shty për një ditë tjetër”, tha Gecaj.

Shtoi se aty u krijua tollovi për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, që sipas tij ishin 220.

“Zakonisht në nëndegë shkojnë më së shumti 100 delegatë, mbrëmë kanë shku 220 delegatë dhe aty ska pas përgatitje të mjaftueshme teknike me mbajt takim të tillë, pa zërim, kompjuter”, tha Gecaj.

“Për shkak të saj u kriju një tollovi dhe ne kryesia e degës u mbeldhëm me shty”, përfundoi ai.