Prizren, sulmohet brutalisht një anëtar i komunitetit rom
Një rast i tmerrshëm dhune ka tronditur qytetin e Prizrenit, ku një anëtar i komunitetit rom është sulmuar brutalisht para disa ditësh.
Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar hapjen e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore, duke siguruar dhe analizuar video-incizime nga vendngjarja.
Fitore Mehmeti, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, i tha Gazetës Express se viktima është pjesëtar i komunitetit rom dhe se veprimet hetimore fillestare janë ndërmarrë menjëherë. “Aktualisht janë siguruar video-incizimet të cilat po analizohen nga prokuroria dhe policia. Pasi të bëhet identifikimi i personave të dyshuar, do të ndërmerren veprimet e mëtejme në përputhje me dispozitat ligjore,” theksoi Mehmeti.
Sipas njoftimit të bërë dje nga Radio Romano Avazo në Facebook, ngjarja ka ndodhur afërsisht një javë më parë në orët e para të mëngjesit. Viktima, me iniciale M.M., po priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për të shkuar në punë në një depo. Ai, një djalë i thjeshtë dhe i ndershëm, jeton në kushte të vështira – pa nënë dhe me një prind me aftësi të kufizuara, duke u përpjekur çdo ditë të mbajë familjen me punën e tij.
Rreth orës 06:00 të mëngjesit, dy të rinj me motoçikleta i janë afruar dhe i kanë kërkuar para. Kur viktima nuk ka pasur mundësi t’ua japë, njëri prej tyre e ka goditur me shqelm në fytyrë, duke i thyer nofullën në mënyrë të tmerrshme.