‘Prishja’ e raporteve me SHBA-në, Murati: Propagandë prej elementeve të Beogradit

14.02.2024

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka komentuar deklaratën e Ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se me qëndrimin për dinarin, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

‘Prishja’ e raporteve me SHBA-në, Murati: Propagandë prej elementeve të Beogradit Foto: Ilustrim

Në një konferencë për media, Murati tha se të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri dhe që e mbështesin deri në fund qëllimin e këtij vendimi.

Duhet theksuar që vendimi është marrë nga BQK-ja në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Ne patjetër që konsultohemi, koordinohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që synon të arrij rregullorja e miratuar e BQK-së. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund”, tha Murati.

Sipas tij, dallimi i vetëm me partnerët ndërkombëtar qëndron për periudhën tranzitore.

Nuk ka dilema, as kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë, i vetmi dallim është sesi të dallohet periudha tranzitore. BQK është e angazhuar tej mase për të ofruar përgjigje sa i përket shqetësimeve të ngritura dhe propagandës së disa prej elementeve nga Beogradi që të krijojnë mjegull ndaj një çështje teknike dhe krejtësisht ligjore”, u shpreh ministri Murati.

Murati ka thënë se “prishja” e raporteve të Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryesisht propagandë me elemente të Beogradit.

 “Gjatë rrugës për Leposaviq kur isha, shtëpitë që sheh dhe ambientet që sheh nuk të lënë përshtypjen që kanë hyrë 200 milionë euro në vit aty. Është e vërtetë që janë dedikuar nga Beogradi 200 milionë, por jo të gjitha ato para kanë përfunduar tek qytetarët, një pjesë e madhe e tyre ka përfunduar në financim të aktiviteteve ilegale dhe grupeve të interesit për të cilat tashmë është dëshmuar që kanë lidhje direkte me Beogradin”, tha Murati.