Prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë fëmijët

27.11.2021

Ajo është infermiere, ku ka thënë se vaksinimi i ka ofruar një ndjenjë sigurie. “Unë nga 29 marsi, kur edhe ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit [në Kosovë], jam në qendër të vaksinimit. Po të ishte diçka që ndikon keq në shëndetin e fëmijëve, unë nuk do t’i vaksinoja fëmijët e mi. As fëmijët nuk kanë […]

Prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë fëmijët Foto: Ilustrim

Ajo është infermiere, ku ka thënë se vaksinimi i ka ofruar një ndjenjë sigurie.

“Unë nga 29 marsi, kur edhe ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit [në Kosovë], jam në qendër të vaksinimit. Po të ishte diçka që ndikon keq në shëndetin e fëmijëve, unë nuk do t’i vaksinoja fëmijët e mi. As fëmijët nuk kanë hezituar fare për vaksinim”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar vaksinimin e fëmijëve 12 deri në 15 vjeç më 2 nëntor.

Brenda tri javësh, mbi dymijë fëmijë të kësaj grupmoshe e kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, bën të ditur Zyra për informim e kësaj ministrie.

“Është një interesim solid, por që pritet të rritet. Ekipet e vaksinimit janë të gatshme për të vaksinuar nëpër shkolla, prandaj është me rëndësi që prindërit të konfirmojnë vaksinimin e tyre dhe të fillohet menjëherë me procesin e vaksinimit [në shkolla]”, thotë Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Numri i fëmijëve 12 deri në 15 vjeç në Kosovë, respektivisht i nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rreth 99 mijë.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë nëpër shkolla materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve, si dhe deklaratën e pajtueshmërisë, të cilën duhet ta nënshkruajë prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës, në këtë rast nxënësit.

Në dia shkolla, deklarata e pajtueshmërisë ka nisur të shpërndahet fundjavën e 20-21 nëntorit. Deri të mërkurën, më 24 nëntor, atë e kanë nënshkruar vetëm 30 prindër.

Deklarata e pëlqimit që duhet ta nënshkruajnë prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të vaksinohen kundër koronavirusit.

Një zëvendësdrejtor i shkollës thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata u është dërguar prindërve apo kujdestarëve të 803 nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

“Prej 803 nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë vetëm pesë nxënës që kanë deklaruar te kujdestarët e klasave se janë të vaksinuar”, thotë ai.