Presidentja Osmani viziton ushtarakët për fundvit: “Faleminderit për shërbimin tuaj ndaj atdheut”
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, në përmbyllje të vitit kalendarik vizitoi sot Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në këtë vizitë, ajo u prit nga Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, dhe stafi drejtues i Shtabit të Përgjithshëm.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani u njoh me aktivitetet dhe arritjet e FSK-së gjatë vitit që po përmbyllet. Në raportimin para saj, u theksua puna e palodhur e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të gjitha fushat e veprimit, duke dëshmuar angazhim dhe përkushtim të lartë për vendin dhe qytetarët.
Me këtë rast, presidentja falënderoi pjesëtarët e FSK-së për angazhimin vetëmohues në shërbim të paqes dhe sigurisë. Në mesazhin e saj, ajo vlerësoi rolin e ushtarakëve në sfidat aktuale me të cilat përballet vendi dhe bota, duke theksuar përkushtimin për t’i mbështetur ata në çdo hap.
“Uroj dhe falënderoj për shërbimin ndaj atdheut secilin ushtarak në këtë kohë sfidash, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë globin. Ne, së bashku me Ministrin dhe Komandantin e FSK-së, do të punojmë dhe do të bëjmë të pamundurën që ushtarakët të jenë të motivuar dhe të kontribuojnë në të mirë të paqes dhe sigurisë,” u shpreh presidentja Osmani.
Në përfundim të fjalës së saj, presidentja përcolli urimet më të mira për fundvit për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, duke i uruar shëndet dhe mbarësi në familjet e tyre.
Kjo vizitë vjen si një shenjë mirënjohjeje dhe mbështetjeje për punën e palodhshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke reflektuar rëndësinë që institucionet e vendit i kushtojnë rolit të saj në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.