Presidentja Osmani i përgjigjet Kuvendit: Mblidhuni brenda 48 orësh!
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar zyrtarisht ndaj kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është një detyrë thelbësore e saj si Presidente.
Në letrën e saj drejtuar Kuvendit, Osmani ka theksuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një interpretim që mundëson, dhe jo që pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.
Ajo ka cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Sipas Osmanit, Gjykata ka theksuar qartë se asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
Në të njëjtën linjë, Presidentja ka përmendur edhe Aktgjykimin tjetër të Gjykatës në rastin Nr. K0119/14, ku është theksuar obligimi i të gjithë deputetëve për të gjetur mënyra për ta funksionalizuar Kuvendin, si dhe përgjegjësia e kryesuesit të seancës konstituive për të përmbushur detyrat në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Duke iu referuar këtyre parimeve, Osmani ka theksuar se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese tashmë ka karakter detyrues, dhe se është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se funksionimi i institucioneve është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.