Shërbimi Korrektues Presidentit Thaçi i shkojnë 435 kërkesa nga të burgosurit për falje të dënimit

Mijëra të burgosur, vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës, për veprat e bëra. E sa herë vjen ndonjë festë, sytë e tyre drejtohen nga Presidenti i vendit. Prandaj edhe këtë vit, 435 prej tyre kanë bërë kërkesë për falje të dënimit.

Ndërkohë, sipas rregullores për faljen e personave të dënuar, atyre që iu mohohet kjo e drejtë, janë ata që paneli për lirim me kusht i ka refuzuar lirimin me kusht, atyre që akuzohen me veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, veprat penale kundër njerëzimit si dhe personave që me ligj të veçantë iu ndalohet falja.

Megjithatë një listë e gjatë e të burgosurve, të cilët vuajnë dënimet nëpër burgjet e Kosovës, janë në pritje për faljes nga presidenti i Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se tashmë në Zyrën e presidentit gjenden të gjitha këto kërkesa, raporton KTV.

Ndërkaq, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), thonë që edhe në rastet kur është shfrytëzuar kjo e drejtë nga presidentët, falja ka qenë simbolike.

“Numri i personave të privuar nga liria, që kanë përfituar nga falja e presidenteve. Ka qenë shumë i vogël. Mirëpo, edhe ato falje që janë bërë, kanë qenë simbolike”, kanë thënë nga KMDLNJ.

Ndërsa sipsa Shërbimit Korrektuese pavarësisht se cilat janë veprat penale, ata e kanë për obligim të kompletojnë dokumentacionin dhe ta dorëzojnë, e vendimin i mbetet presidentit që ta marrë.

Në bazë të nenit 6 paragrafi 5, të Rregullores për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar, ne pranojmë dhe dorëzojmë tek organet kompetente kërkesat për falje nga të dënuarit gjatë gjithë vitit. Nga fillimi i vitit 2019, e deri më tani kemi pranuar dhe përcjellë tek organet kompetente për procedurë të mëtutjeshme 435 kërkesa për faljen e dënimit nga të dënuarit. Të gjitha kërkesat që vijnë te ne, pa marrë parasysh veprën e të dënuarit, ne bëjmë kompletimin e dokumentacionit të të dënuarit dhe i dorëzojmë për procedurë të mëtutjeshme tek organet kompetente.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut tashmë është duke punuar me 6 raste të grave të dënuara me mbi 10 vjet burgim për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe vrasje.

Ndryshe, vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ua ka shlyer disa muaj nga dënimi, 4 të dënuarve. Kurse, i pari që e nisi këtë, ishte ish-presidenti Fatmir Sejdiu në vitin 2009, me rastin e shënimit të njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.