Dita e Veteranit Presidenti Thaçi: Veteranët e UÇK’së e mundësuan lirinë dhe pavarësinë tonë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot shënon Ditën e Veteranit, ditë që nderon kontributin e sakrificën e tyre për liri.

Shënimi i kësaj dite është organizuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, duke filluar nga në ora 18.30, në lokalet e Hotelit VENUS në Prishtinë.

Po ashtu në të njëjtën datë ora 11:00, do të bëhen homazhe në kompleksin e Jasharajve në Prekaz.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka uruar të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Ditën e Veteranit.

Presidenti Thaçi ka thënë se veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe heronjtë e saj, janë shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë e popullit tonë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi ka thënë se në këtë 30 dhjetor, si në çdo fundvit tjetër, i nderojmë ata që bënë të mundur ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë tonë, veteranët e luftës sonë çlirimtare.

“Kjo ditë sjell në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, aty ku nisi rruga e lirisë”.

“Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe heronjtë e saj, janë shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë e popullit tonë”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Facebook.

“Urime Dita e Veteranit, të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.