Presidenti Thaçi sot intervistohet nga Gjykata e Hagës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot do të paraqitet në Hagë për intervistim, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi qe kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë cilësie Thaçi ishte ftuar në këtë intervistë.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.