Presidenti Thaçi në ‘aksion’, u dërgon ftesa partive për anëtarët e rinj të KQZ’së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shumë shpejtë do ta ketë përbërjen e re të saj, pas zgjedhjeve të reja të mbajtur në tetor të vitit të kaluar.

Mësohet se Presidenti, Hashim Thaçi, u ka dërguar ftesa partive politike për t’i propozuar anëtarët e rinj të KQZ’së.

Ky veprim i Thaçit është mbështetur në Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Kësisoj, i pari i shtetit është bazuar konkretisht në ligjin për mandate dhe emërime të anëtarëve të KQZ’së, shkruan Indeksonline

Afati që partitë politike t’ia dërgojnë emrat është 27 janari, kjo duke u mbështetur në ligjet përkatëse.

“Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend”, specifikohet në ligjin për zgjedhjet”.

Ndërsa, Indeksonline mëson se përbërja e re do të ketë 90% ndryshime pasi disa prej anëtarëve s’kanë mundësi të jenë në mandatin e tretë.

“Sikurse është rasti me anëtarët nga VV, PDK, KDTP… ata i kane përfunduar nga 3 mandate”, thotë ky burim.

Përbërja e re në KQZ do të jetë kjo: Vetëvendosje-2, LDK 1, LDK-1, AAK-1, NISMA-1, MINORITETET-4, Kryetarja KQZ-1. Gjithsej, 11 anëtarë.

Ndërsa shpejt e kanë konfirmuar për gazetën nga Zyra e presidentit ku thuhet se ky është një njoftim teknik për t’i njohur partitë lidhur me dokumentet që duhet t’u bashkëngjiten propozimeve të tyre për anëtarë të ri të KQZ-së.

“Nuk është ftesë, për njoftim tërësisht teknik për grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë në Kosovë, të cilët mbajnë vende të garantuara në Kuvend, që propozimet/nominimet e tyre për anëtarë të KQZ-së të jenë të kompletuara dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi. Pra, në mënyrë të detajuar u është specifikuar se cilat dokumente duhet t’u bashkëngjitën propozimeve të tyre për anëtar të KQZ–së. Ky njoftim është bërë si pjesë e përgatitjeve për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga presidenti dhe është në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenet 61 dhe 62 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (GZ, Nr. 31, 15 qershor 2008), si edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO 58/19, ku në pikën 104 të këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtuese rikujton se anëtarët e KQZ-së nuk kanë mandat të caktuar kohor, ngaqë ai është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor “.

Më tej nga presidenca konfirmojnë se afati që partitë politike t’a dërgojnë emrat, është 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, përveç përjashtimeve të parapara në nenin 61, paragrafi 3, nënpragarfin (e) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, sqaron Zyra e Informimit të Presidencës”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.