Presidenti Thaçi mbërrin në Kosovë, pritet nga shumë qytetarë

Presidenti Hashim Thaçi tashmë ka arritur në Kosovë. Ai është pritur në pikën kufitare në Morinë nga mijëra qytetarë nën thirrjet UÇK – UÇK.

Organizatat e dala nga lufta  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra qytetarë takuan në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Morinë presidentin Hashim Thaçi i cili u rikthye nga Haga nëpërmjet aeroportit ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Në një moment presidenti Thaçi ka dalë nga makina dhe ka përshëndetur turmën e madhe të njerëzve.

Thaçi u kthye nga Haga ku u intervistua nga Dhomat Speciale. Muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.