“Presidenti Thaçi kërkon zgjedhje të parakohshme”

  • 03.04.2019, 8:14

Emërimi i anëtarëve të KQZ-së pas një viti të bllokimit, po shihet si një sinjal se zgjedhjet e parakohshme do të kenë afër në Kosovë.

Kjo teori mund të jetë e vërtetë në këto moment kur kanë dalë në  pah përçarjet brenda koalicionit qeverisës. Mënyra se si Presidenti i Kosovës, vendosi t’i emërojë vetëm anëtarët nga disa parti ka krijuar një ndjenjë brenda koalicionit qeverisës se nuk po munden të ndajnë hisen në KQZ, shkruan arbresh.info.

Artan Demhasaj nga organizata ÇOHU, ka thënë për arbresh.info, se në rast se edhe Gjykata Kushtetuese nuk u jep të drejtë partive  të cilat kanë mbetur jashtë Komisionit Zgjedhor atëherë zgjedhjet e parakohshme do të jenë reale.

“Duke marrë parasysh që disa parti të koalicionit janë të pakënaqura dhe kanë kërkuar që të dërgojnë në Gjykatën  Kushtetuese dhe nëse kjo Gjykatë vendos në disfavor të këtyre partive, mundësia për të shkuar në zgjedhje të parakohshme mund të jetë reale. Po presidenti ka kërkuar që të gjitha grupet parlamentare në  kuvend të kenë nga një vend në KQZ dhe pastaj me ndikimin e  ndërkombëtarëve ai ka vendosur që të zbatojë vendimin e gjykatës të vitit 2014,  e cila s’i njeh grupet parlamentare që janë krijuar pas  zgjedhjeve. Janë rritur pakënaqësitë nga partitë që janë në koalicion”, tha ai.

Sipas Demhasajt, gjasat janë që një mocion votëbesimi për rrëzimin  e kësaj Qeverie të jetë njëri nga partnerët e koalicionit  qeverisës.

“Mbetët nga Gjykata Kushtetuese se si do të vendosë nëse mbetet  kjo situata atëherë disa nga partitë që janë në koalicion mund ta  dërgojnë vendin në zgjedhje pasi që kemi NISMA-në dhe AAK-në   mendoj se gjasat janë që NISMA së bashku me PSD-në, ka me nxitë  mocion për ta dërguar vendin në zgjedhje”, deklaroi tutje ai.

Se dekretimi i anëtarëve të KQZ-së, është një sinjal për shkuarje në zgjedhje të parakohshme thotë edhe njohësi i çështjeve juridike, Besnik Berisha. Madje sipas Berishës, është vetë presidenti i vendit ai që po dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Veprimi i fundit le të kuptoj se është edhe vetë Presidenti, ai që po do me dërgua vendin në zgjedhje brenda këtij viti, ndryshe ai do ta mbante peng ende KQZ-në. Mos dekretimi i partnerëve të koalicionit është çështje e brendshme. Është fakt se këta janë penduar për martesën e bërë dhe si duket nuk do të bëjnë ndonjë martesë më. Kjo është edhe një shtytje drejt zgjedhjeve”.

E për politologun Ramush Tahiri, emërimi i anëtarëve të KQZ-së, nuk mund të jetë sinjal për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij ky ka qenë obligim i pa përmbushur nga Presidenti.

Por, Tahiri shton se kushtet që Kosova të shkojë në zgjedhje janë pas funksionalizimit të KQZ-së.

“Nuk e di a është për zgjedhje por është obligim i presidentit me i caktua anëtarët e KQZ-së. Tash kanë mbetur vetëm edhe dy të PAN-it. Kryetarja e KQZ-së ka  deklaruar  se tash munden të vazhdojnë punën. Tensioni është ngrit se partive iu konvenon t’i emërojnë anëtarët pas zgjedhjeve, ndërsa ligji thotë se anëtarët dekretohen nga partitë me koalicione parazgjedhore. Zgjedhjet s’kanë mund të mbahen pa pasur KQZ, tash është krijuar parakushti për të shkuar në zgjedhje”, deklaroi Tahiri.

Kujtojmë se Presidenti Hashim Thaçi, pas një vit ka dekretuar tetë anëtarë të rinj të KQZ-së, të ardhur nga partitë opozitare dhe minoritetet./arbresh.info/

Të tjera