Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është i ftuari i parë i Presidentit të Kosovës, në kuadër të procesit të konsultimeve me partitë politike.
Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i nis takimet me krerët e partive politike.
Thaçi do të diskutojë lidhur me hapat që do të merren pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Përmes një letre, ai ka ftuar në takim për të mërkurën në ora 10:00 në presidencë, shefin e qeverisë në detyrë, Albin Kurti.
“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në këtë ftesë.
