Premtimet e opozitës për paga, Kurti: Emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet ngatërruar
Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka miratuar sot projektbuxhetin për vitin 2025.
Paraprakisht një ditë më parë në një konferencë për media, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, kryeministri Kurti ka bërë me dije se nga 1 Janari 2025 pagat në sektorin publik do të rriten për 55 euro, dhe 55 euro të tjera nga 1 korriku.
Pas kësaj konference kanë shpërthyer kritikat e partive opozitare dhe shoqërisë civile për këtë vendim të Kurtit.
Ndër të parët ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka premtuar se qysh në javën e parë të qeverisjes së tij koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se nuk duhet të mbetet pagë nën 1000 euro.
E sot gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Kurti tha se ata po bëjnë “shumë premtime boshe” si kundërvlerë e vendimeve të tij, por sipas tij nuk duhet të ngatërrohen dhe qeverisja e përgjegjshme me emisionet humoristike, me gjasë një aludim ky për debatet në media dhe kritikat ndaj tij.
“Ndërkohë për shkak se zgjedhjet tashmë po afrohen po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare si kundërvlerë e vendimeve të mira qeveritare, mirëpo për një gjë duhet të jemi të sigurtë se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet ngatërruar”, tha Kurti.