Gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar t’i numërojë 4 mijë e 639 votat e diasporës, të cilat kishin ardhur me vonesë në Kosovë. Por mosnumërimi i këtyre votave nuk do të jetë pengesë për koalicionin Nisma – AKR – PD, pasi ata shprehen të bindur se edhe pa votat e diasporës e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5 %.
Edhe nga Aleanca Kosova e Re janë të bindur që e kanë kaluar pragun zgjedhor. Kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Vesel Makolli, ka thënë për Gazetën Zëri se sipas informacioneve të tyre, ndonëse ende jozyrtare, AKR-ja do të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi informacionet tona që e kemi kaluar pragun, por jo informacione zyrtare. Sido që të jetë, me ose pa votat e diasporës, jemi diku mbi 5 për qind në bazë të të gjitha analizave që kemi bërë”, ka deklaruar Makolli.
Se e kanë kaluar pragun e kishte thënë ditën e hënë edhe Bilall Sherifi. Në një interviste në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës, Bilall Sherifi nga NISMA ka theksuar se rezultatet e paraqitura në sistemin online të KQZ-së ende nuk janë zyrtarë dhe se ka lëshime.
“Sistemi ka treguar defektet e veta. Kësaj radhe ka pasur probleme në bartjen e të dhënave”.