Pozita: Opozita s’mund ta rrëzojë Qeverinë

Deputetët e opozitës presin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në nëntor të këtij viti, pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në disa subjekte politike, me ç’rast, siç thonë ata, do të rrëzohet Qeveria “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend.

Mirëpo, deklarimeve të opozitës për rrëzim të Qeverisë nuk po u frikësohet partia e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Deputetë të AAK-së disa herë kanë thënë për gazetën “Zëri” se Qeveria do ta çojë mandatin deri në fund, pasi që opozita nuk do të mund ta rrëzojë atë.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se pas zgjedhjeve të brendshme partiake PDK-ja do të jetë edhe më e fortë, por që edhe pavarësisht kësaj nuk pret që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Si PDK jemi në fund të procesit zgjedhor. PDK-ja asnjëherë nuk u është frikësuar zgjedhjeve. Ne që nga viti 2007 të gjitha zgjedhjet i kemi fituar. Për të shkuar në zgjedhje veprimet e opozitës nuk i shoh shumë serioze dhe konsideroj që sa i përket kësaj opozite Qeveria do ta çojë deri në fund mandatin. Ne edhe para zgjedhjeve të PDK-së, edhe pas tyre nuk e kemi problemin për të shkuar në zgjedhje, por vendi është duke ecur në procese të tjera dhe mendoj që në këtë vit institucionet duhet të kenë një unitet nacional dhe duhet të mbyllet procesi negociator mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.