Java e kaluar shkoi me takime të njëpasnjëshme mes liderëve të dy partive VV e LDK, por ato takime të cilat zgjaten më shumë se dy orë nuk arriten që të mirren vesh për koalicion, kështu duke u bërë “mollë sherri” posti i presidentit.

Pasi që posti i presidentit ka mbetur si një “ngërç” në bisedimet mes LDK e VV atëherë analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që seanca konstituive e cila do të mbahet më 26 dhjetor do t’i gjejë këto dy subjekte politike pa një ujdi të plotë.

Të vetmin pajtim që ka buruar gjatë takimeve të javës së kaluar është dakordimi për t’i shpeshtuar takimet mes tyre, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ndonëse të dielën nuk u takuan fare, Kurti e Mustafa vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta sa i përket postit të presidentit, shkruan Zëri.

Lëvizja Vetëvendosje shpesh herë para mediave është deklaruar se posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për qeverisjen e re mes LDK-së e VV-së.