Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka ende liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, e gjithë kjo për shkak të dështimit të klasës politike në miratimin me kohë të Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.
Mirëpo kjo situatë në Kosovë është shqetesuese vetëm për popullin e varfër të vendit dhe jo për deputetët apo ministrat e vendit. Shumica e deputetëve dhe e ministrave të Kosovës e kanë zgjidhur çështjen e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen duke u pajisur me pasaporta të Shqipërisë apo te shteteve të Bashkimit Evropian, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ani pse ka kaluar më shumë se një dekadë që Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran qytetarët e saj vazhdojnë të jenë ende të izoluar, të mos kenë të drejtë të dalin pa viza në hapësirën e vendeve të Zonës Shengen.
Por këtë problem nuk e kanë një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e zyrtarëve të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera.
Përkundrazi, shumë prej tyre përveç shtetësisë së Kosovës kanë edhe pasaporta të Shqipërisë dhe të shteteve të tjera të Evropës, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave. Ku ata nund të udhëtojnë lirshëm jashtë vendit.
Ata thonë se kjo është e drejtë e tyre, sikurse e çdo qytetari tjetër.
Njohësit e proceseve integruese konsiderojnë se pajisja e zyrtarëve shtetërorë me dy nënshtetësi nuk paraqet ndonjë problem, porse ata nuk e përjetojnë atë që e përjetojnë qytetarët kur duan të udhëtojnë jashtë vendit.
Ndërkohë sa i përket heqjes së vizave ekspertët vlerësojnë se gjasat janë të vogla që gjatë këtij viti të ndodhë një e gjë e tillë.