Një aksion i fundit i Policisë së Kosovës është zhvilluar në Prizren, ku janë ndëshkuar shoferët që kishin parkuar automjetet në zonat e gjelbëruara.
Sipas njoftimit të policisë, në rrugën “Rrustë Kabashi” është organizuar një kontroll i papritur me synim parandalimin e parkimit të kundërligjshëm në hapësirat e destinuara për gjelbërim dhe rekreacion të qytetarëve.
“Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme në hapësira të gjelbëruara, veprim ky që përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat në Trafikun Rrugor, konkretisht Neni 20, paragrafi 9, që ndalon dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të mjeteve në vende të ndaluara,” thuhet në komunikatën e policisë.
Si rezultat i këtij operacioni, policia ka shqiptuar gjithsej 19 gjoba për kundërvajtje dhe ka konfiskuar tre automjete që ishin parkuar në mënyrë të paligjshme. Ky aksion synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektimin e hapësirave publike dhe rregullave të trafikut në qytetin e Prizrenit.