Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rreth orës 11:30, autoritetet janë informuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore, ishin dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Kijevë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar se viktimat kanë ndërruar jetë.
Njësitë e nevojshme policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit. Deri më tani, Policia ka bërë të ditur se është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore, i cili dyshohet se është dhëndri i viktimave.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për arrestimin e të dyshuarit dhe sigurimin e provave lidhur me rastin.
Policia ka bërë të ditur se detaje të tjera do të publikohen pas përfundimit të veprimeve hetimore, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin e Malishevës, pasi viktimat raportohet se janë vrarë para shtëpisë së tyre, në kohën kur familja ndodhej në ditë zie për babain e ndjerë.