Policia intensifikon masat, gjoba për mosrespektim të këmbësorëve dhe shkelje të tjera përmes kamerave
Policia e Kosovës ka njoftuar për intensifikimin e masave të kontrollit të trafikut rrugor në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve përmes sistemeve të kamerave dhe radarëve të instaluara në rrugë.
Në një njoftim zyrtar, PK thekson se një ndër shkeljet që do të monitorohet me rigorozitet është “mos respektimi i këmbësorëve në vendkalim të shënuar”. Policia ka paralajmëruar se shkelësit do të identifikohen përmes kamerave dhe radarëve dhe gjobat do të dërgohen në adresë të pronarit të automjetit.
“Identifikimi i kundërvajtjeve ‘mos respektim i këmbësorëve në vendkalim të shënuar’! Dërgimi i gjobave në adresë të pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve! Respektoni rregullat e trafikut dhe kontribuoni në sigurinë rrugore! Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët!”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Ky veprim i Policisë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur sigurinë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën rrugore, duke theksuar se siguria është një përgjegjësi kolektive.