Polici në Prizren dyshohet se rrahu brutalisht qytetarin, arrestohet nga IPK

para 34 dite

Një zyrtar policor është arrestuar sot në Prizren nën dyshimin për keqtrajtim dhe shkaktim të lëndimit të rëndë trupor ndaj një qytetari.

Polici në Prizren dyshohet se rrahu brutalisht qytetarin, arrestohet nga IPK

Rasti, i cili ka ngjallur reagime, është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

KALLXO.com mëson se polici i arrestuar është Ramiz Pulaj. Sipas të njëjtave burime, qytetari kishte pësuar lëndime të rënda nga rrahja brutale që dyshohet se ka ardhur nga polici, konkretisht në zonën e syrit, hundës dhe pjesën e kokës.

IPK ka njoftuar publikisht për arrestimin e policit, duke dhënë detaje mbi veprimet e ndërmarra. Ngjarja, e cila u regjistrua më 17 qershor 2025 në Prizren, kishte nisur fillimisht kur një qytetar ishte ndaluar nga policia për një kundërvajtje në trafik.

Inspektorati Policor i Kosovës ishte njoftuar për rastin nga Prokuroria Themelore në Prizren, nën dyshimin se zyrtarë policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.

Pas marrjes së informacionit, hetuesit e IPK-së janë angazhuar menjëherë dhe kanë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Këto veprime përfshinë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

Etiketat

Ofertat e fundit