Peticioni i filluar ditën e enjte nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj deri në orën 17:00 ka mbledhur 7000 nënshkrime të qytetarëve.

Me nënshkrimin e peticionit qytetarët e Suharekës mbështetin kryetarin Muharremaj për iniciativën e tij për shfuqizimin e ligjit të Lojërave të Fatit.

Peticioni zyrtarisht ka filluar ditën e enjte në ora 11:00 ku kryetari me mbështetjen e përfaqësuesve të subjekteve politike në Suharekë kanë filluar iniciativën për nënshkrimin e peticionit.

Bali Muharremaj, përmes këtij peticioni, synon mbylljen e 120 pikave të lojërave të fatit në Komunën e Suarekës, dhe pas mbledhjes së nënshkrimeve, peticioni të dërgohet në Kuvend që të bëhet shfuqizimi i ligjit për lojërat e fatit, kazinove.

Edhe pse Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së ditës së sotme ka votuar rezolutën e cila parasheh pezullimin e të gjitha lojërave të fatit, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj mbetët i vendosur që nënshkrimi i peticionit mos të ndalet. Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari në një përgjigjje telefonike për portalin Suhareka Online.