Pesë shtetas shqiptarë evakuohen nga Izraeli – tre mbërrijnë në Tiranë
Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, ka njoftuar të martën se pesë shtetas shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Tre prej tyre kanë mbërritur mëngjesin e sotëm (18 qershor) në Tiranë përmes Athinës, ndërsa një tjetër pritet të arrijë në mbrëmje. Shtetasi i pestë, sipas Hasanit, është rezident në Greqi dhe ka zgjedhur të qëndrojë atje.
Në një postim në Facebook, Hasani shkroi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), nëpërmjet ambasadave të saj në Tel-Aviv dhe Kajro, ka ndjekur nga afër dhe me përkushtim çdo etapë të procesit të evakuimit.
“Pesë shqiptarët janë larguar shëndosh e mirë nga Izraeli dhe tre prej tyre tashmë ndodhen në Tiranë. Personi i katërt pritet të mbërrijë në mbrëmje, ndërsa i pesti do të qëndrojë në Greqi,” deklaroi ministri.
Evakuimet vijnë në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përplasjet ushtarake mes Izraelit dhe Iranit kanë shtyrë shumë shtete të organizojnë largimin e qytetarëve të tyre nga zona e konfliktit.
Greqia bëri të ditur të mërkurën se ka riatdhesuar 105 qytetarë të saj të bllokuar prej ditësh në Tel-Aviv.
Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, njoftoi se ka kthyer grupin e parë të qytetarëve përmes një avioni qeveritar. Ministri i Jashtëm maqedonas, Timco Mucunski, tha se vendi i tij është ndër të parët në Evropë që ka realizuar me sukses një operacion të tillë evakuimi. Deri tani, 28 qytetarë maqedonas kanë kërkuar të largohen nga Izraeli, ndërkohë që fluturimet e tjera janë në pritje të konfirmimit.
Evakuimi i shqiptarëve është një hap i rëndësishëm në garantimin e sigurisë së qytetarëve përballë krizave të paparashikueshme në arenën ndërkombëtare.