Pesë rastet e mbrëmshme në Prizren me COVID-19, sot testohen së paku edhe 10 persona

Pesë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar mbrëmë në Prizren. Të gjithë të infektuarit janë familjarë të personave që kanë dalë pozitiv ditë më parë dhe vijnë nga fshati Skorobishtë.

Nga kjo komunë sot do të testohen edhe 10 persona të tjerë, të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit, rezultatet e të cilëve do të dalin në mbrëmje.

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, i ka thënë Gazetës Express se të gjitha rastet që u konfirmuan mbrëmë janë familjarë të të infektuarve nga fshati Skorobishtë.

Shehu ka treguar se sot nga kjo komunë pritet që të bëhet testimi i së paku 10 personave, që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.

“Mbrëmë prej rreth 15 mostrave që janë testuar, kanë rezultuar pozitivë pesë persona. Të gjithë ata që kanë dal pozitivë janë familjarë të personave që janë infektuar më herët. Janë nga fshati Skorobishtë. Sot bisedova me të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe sipas informatave do të testohen së paku 10 persona, edhe pse kjo shifër mund të rritet”, ka thënë Shehu për Express.

RAPORTO